Mirëseerdhët në Blogun e Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania Botime)

Monday, March 12, 2012

Abdulkadër Arnauti - Jeta dhe vepra

ABDULKADËR ARNAUTI - JETA DHE VEPRA

Abdulkadër Arnauti - Jeta dhe vepra
Libri “Abdulkadër Arnauti - Jeta dhe vepra”, është libri i parë në gjuhën shqipe mbi jetën dhe veprën e Shejhut (dijetarit) të madh musliman me origjinë shqiptare, Abdulkadër Arnauti.
Ky libër është shkruar nga një prej ish-nxënësve të tij, ku tregon mbi prejardhjen e Shejhut, jetën dhe veprat e tij. Edhe pse kjo është një broshurë e vogël, vlera e këtij botimi është shumë e madhe, dhe shpresojmë që të hedhë pakëz dritë mbi një prej figurave më të spikatura islame (dhe shqiptare) të kohëve të sotme. Kontributi i shqiptarëve në Orient (Arnautëve) është shumë i madh, dhe veprat e tyre duhen treguar në formën e librave të tillë. Urojmë që vepra të tjera mbi jetën e personaliteve muslimane shqiptare në përgjithësi dhe mbi veprën dhe jetën e Abdulkadër Arnautit në veçanti, të shohin dritën e botimit në gjuhën shqipe.

Temat e librit janë si më poshtë:

Kreu I

Biografia e tij

- Emri, prejardhja, mbiemri
- Lindja, formimi i tij
- Vendbanimi i tij
- Emigrimi i tij për në Damask dhe vendet që vizitoi

Kreu II

Biografia shkencore e tij

- Personaliteti i tij
- Mësuesit dhe nxënësit e tij
- Udhëtimi e tij në kërkim dhe shërbim të dijes
- Mospërputhjet e tij me dijetarët e kohës së tij
- Qëndrimi i tij ndaj disa çështjeve të kohës së tij
- Qëndrimi i tij ndaj misticizmit dhe disa ekzagjerimeve në të kuptuarit e misticizmit

Kreu III

Shejhu dhe shkencat e hadithit të ndershëm profetik

- Mësimet e tij
- Përpjekja e tij në hadith dhe çfarë mësoi nga ai
- Shkrimi i hadithit dhe studimi i tij
- Metodologjia e argumentimit të shejhut me hadith
- Mbrojtja e sunnetit nga ana e tij
- Metoda e tij në xherh dhe ta'dil[1]

Kreu IV

Veprat e tij në shërbim të hadithit të nderuar profetik

- Shkaqet e përhapjes së këtij kontributi shkencor
- Metodologjia e tij në redaktim
- Librat dhe veprat e tij në redaktim
- Thëniet e tij rreth domosdoshmërisë së dijes dhe ndjekjes së Kur’anit dhe sunnetit
- Thëniet e dijetarëve të kohës së tij për të

Të dhëna mbi librin:

Titulli: Abdulkadër Arnauti - Jeta dhe vepra
Autor: Mahmud Muhamed Xhemil El-Kesr
Përktheu nga gjuha arabe: Azem XHELADINI
Recensues: Alban ÇULI
Redaktor gjuhësor: Ermal BEGA
Kopertina: ACFOS - Besnik HAMITI
ISBN 978-99956-646-8-8
Boton: Qendra Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania)
Viti i botimit: 2009
Faqe: 72
Formati: A5

Çmimi i shitjes në librari: 300 lekë/2.5 Euro

© Copyright i këtij botimi ACFOS-Albania, Tiranë 2009

Për porosi dhe shitje me shumicë & pakicë ju lutem na kontaktoni me e-mail.

Fjala e botuesit

Me rastin e botimit të këtij libri, i cili flet për një nga dijetarët më të mëdhenj muslimanë të kohëve të fundit në gjithë botën islame, për Shejh Abdulkadër Arnautin, shpirti i të cilit u kthye tek Zoti i tij në fund të vitit 2004, patëm dëshirë që të shprehim dy fjalë në lidhje me botimin e këtij libri.
Pata fatin e mirë që të takohesha me të në vitin 2004, gjatë vizitës sime në Damask, ku qëndrova një vit për të praktikuar gjuhën arabe. Jam takuar me të pothuajse tre herë, dhe sa herë që shkoja ta takoja mbaj mend që më priste me shumë dëshirë, dashuri, nur të veçantë dhe gjithmonë më fliste në shqip. Në njërën prej këtyre takimeve, i kërkova që të dilja në fotografi me të e ta mbaja si kujtim, si dhe i kërkova që të bënim një intervistë së bashku, ashtu siç bëra të njëjtën gjë dhe më herët me dijetarin e njohur shqiptar të botës islame, po në Damask, me Shejh Vehbi Sulejman Gavoçin, me origjinë nga Shkodra, intervistë e cila u botua në muajin Janar 2006 në gazetën "Drita Islame" në Tiranë. Për të dalë në fotografi, ai nuk hezitoi aspak, por u ngrit me vështirësi nga karrigia e tij e ndershme dhe me bastunin e tij fisnik që përçonte një nur, si kërkues i diturisë që ishte, dhe doli te dera e zyrës ku i priste nxënësit dhe miqtë e tij, dhe së bashku bëmë një fotografi e cila do të mbesë për mua një kujtim i përjetshëm si në letër, ashtu dhe në zemrën time. Ndërsa, sa për intervistën, ai më tha: "Më mirë mos të bëjmë intervistë, jo se e kishte problem, por më mirë më tha do të të dhuroj një libër (librin të cilin tashmë e keni në duart tuaja në shqip), të cilin e ka shkruar një autor arab (një ish-nxënësi i tij) mbi jetën time, dhe merreni botojeni atje në Shqipëri". Dhe unë e pranova me gjithë dëshirë, duke dashur që të mos ta mundoja Shejhun (dijetarin) tonë të nderuar.
U bënë gati 4 vjet që nga vdekja e tij, dhe që kur më dhuroi librin, por për fat të keq gjatë kësaj kohe nuk arritëm që të gjenim mundësitë financiare për ta përkthyer në shqip dhe për ta shtypur këtë libër.
Megjithatë, më në fund me shumë sakrifica arritëm që ta botojmë këtë vit librin, duke shpresuar se libri mbi jetën e këtij dijetari musliman shqiptar, do të pasurojë më shumë librotekat tuaja dhe do të jetë një kontribut shumë i madh dhe modest për jetën dhe veprën e këtij njeriu të madh, me origjinë shqiptare. Shpresojmë që libri të shërbejë dhe si referencë për botimin e veprave të tjera.
Zoti e pranoftë Shejhun tonë të nderuar në xhennetet e Tij të begatshme, dhe neve na shtoftë punët e mira ndaj vetes dhe të tjerëve. Amin!
Ky libër është një tjetër kontribut mbi jetën dhe veprën e personaliteteve të njohur muslimanë shqiptarë, ku më herët "Qendra Shqiptare për Studime Orientale" ka botuar edhe vepra të tjera nga fusha e Orientalistikës, si ato të Hafiz Ali Korçës ("Rubaijjati i Umer Khajjamit", "Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë", "Jusufi me Zelihanë"), një libër për jetën dhe veprën e Hafiz Ibrahim Dalliut, etj.
Në fund falënderoj përkthyesin e kësaj vepre, Mr. Azem Xheladinin, dhe recensuesin Alban Çuli, të cilët me shumë dëshirë dhe përkushtim kontribuan për këtë libër, dhe më përkrahën për çdo gjë, duke treguar një respekt të veçantë për këtë botim.
Një falënderim i veçantë dhe i përzemërt është për Dr. Muhamed Mufakun (Arnauti) - nipi i Shejh Abdulkadër Arnautit, i cili na ndihmoi shumë me sugjerimet e tij për botimin e librit.
Zoti nuk ia humb askujt veprat e mira, sado të vogla qofshin, por ia shton më shumë. (Kur’ani)

Ermal BEGA
Drejtori Ekzekutiv
"Qendra Shqiptare për Studime Orientale"
13/06/2009



[1] Xherh dhe ta'dil: Disiplina e vlerësimit të transmetuesve (i sinqertë, i drejtë, i sigurtë dhe i rënë, i prishur, gënjeshtër) dhe si pasojë e këtij vlerësimi rezulton vlera e hadithit në: Sahih, Daif etj.

No comments:

Post a Comment

Komentoni për këtë libër

LinkWithin

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...