Mirëseerdhët në Blogun e Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania Botime)

Thursday, June 6, 2013

Orientalizmi - Synimet dhe mekanizmat e tij

Dr. Muhammed Fet’hullah EZ-ZIJADI

Orientalizmi - Synimet dhe mekanizmat e tij
ORIENTALIZMI
Synimet dhe mekanizmat e tij

PЁRMBAJTJA

PARATHËNIE
HYRJE
Orientalizmi
Orientalizmi, kuptimi i tij dhe rëndësia e përkufizimit të termit
Kuptimi i termit "orientalizëm"
Oksidentalizmi dhe oksidentalisti
Arabizmi dhe i arabizuari
Historia e orientalizmit
Orientalizmi, motivet dhe synimet e vjetra dhe të ripërtërira
Mekanizmat e orientalizmit
Shtigjet e mendimit orientalist në botën tonë
Qëndrimi lindor ndaj orientalizmit
Si mund të formojmë një qëndrim shkencor mbi orientalizmin?
Orientalizmi sipas rrethanave dhe metodologjive të tij
Shkollat e orientalizmit
Shkolla britanike
Shkolla gjermane
Shkolla italiane
Shkolla franceze
Shkolla ruse
Shkolla spanjolle
Shkolla zioniste
Interesi bashkëkohor ndaj Orientit - Qendrat e tij më të rëndësishme
Në Britani
Në Amerikë
Në Holandë
Në Francë
Orientalistët dhe trashëgimia kulturore islame
Metodat e hulumtimit orientalist në studimet islame
BIBLIOGRAFIA
LITERATURA E SHËNIMEVE SHPJEGUESE
PËRMBAJTJA

Të dhëna mbi librin:

Titulli i origjinalit në arabisht:
الاستشراق
 أهدافه ووسائله
الدكتور محمد فتح الله الزّيادي
Përktheu nga gjuha arabe: Roland VISHKURTI
Redaktor gjuhësor: Ermal BEGA
Korrektore letrare: Klodiana SMAJLAJ
Kopertina: ACFOS - Besnik HAMITI
ISBN 978-9928-4028-5-1
Boton: Qendra Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania)
P.O.Box 8203
E-mail: acfos_albania@yahoo.com
Viti i botimit: 2012
Faqe: 168
Formati: A5

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Asnjë pjesë e këtij libri nuk mund të kopjohet, të incizohet ose të transmetohet në asnjë mjet tjetër, qoftë të shkruar apo elektronike pa lejen e autorizuar me shkrim nga botuesi në shqip.

Çmimi i shitjes në librari: 600 lekë/5 Euro

© Copyright i këtij botimi ACFOS-Albania, Tiranë 2012

Për porosi dhe shitje me shumicë & pakicë ju lutem na kontaktoni me e-mail.

PARATHËNIE

Orienti! Vendi ku lindi jeta... Aty ku dielli merr dritë, ku Zoti iu shpall njeriut me frymëzim, ku shpirtërorja u ndërthur me materialen; aty ku librat e shenjtë pastruan shpirtin, krijuan dhe ngritën lart vlerat njerëzore për të formuar një njeri dhe një shoqëri të përsosur, që synon harmoninë e kësaj bote dhe lumturinë në amshim.

Orienti! Djepi i qytetërimeve... Vendi ku qielli takoi tokën, ku njerëzit formuan popuj e kombe. Vend që shijoi kohë paqeje dhe mban mbi shpinën e tij kohë lufte. Aty ku lindi historia, fletët e së cilës u shkruan gjatë shekujve për të treguar të vërtetën mbi ekzistencën e gjithçkaje, për atë që është e bukur dhe e mrekullueshme, por edhe atë që është e hidhur dhe e padëshirueshme, për të treguar atë që njeriu krijoi me shpirtin, mendjen dhe duart e tij.

Për të gjitha këto dhe të tjera që nuk janë përmendur, Orienti tërhoqi vëmendjen jo vetëm të aventurierëve që e adhuronin atë për bukuritë e tij, por edhe të studiuesve, hulumtuesve, shkencëtarëve të fushave të ndryshme, arkeologëve, specialistëve, misionarëve dhe kolonialistëve.

Ai u studiua dhe u analizua për shekuj me radhë dhe vazhdon të studiohet edhe në ditët e sotme. Atyre studiuesve që u morën me studimin e tij, jo pa qëllim iu dha edhe një emër që tregon lidhjen e fortë ndërmjet tyre dhe Orientit. Këta studiues janë “orientalistët” dhe fusha e studimit të tyre me të gjitha degët e saj quhet “studime orientale”, pra të gjithë kanë lidhje dhe marrin jetë nga fjala “Orient”.

Me gjithë qëndrimet e ndryshme ndaj orientalistëve dhe studimeve të tyre, qofshin ato pozitive apo negative, orientalizmin mund ta konsiderojmë si një urë lidhëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit. Lëvizja e orientalistëve, qoftë vetjake apo e qëllimshme, i nxiti edhe kolegët e tyre në Lindje, që të aktivizohen më shumë në paraqitjen dhe studimin e kulturës së tyre, duke bërë hulumtime të ndryshme rreth trashëgimisë kulturore, duke iu përgjigjur shkrimeve orientale, duke analizuar, kritikuar, por edhe duke i mbështetur, kur ata u janë përmbajtur metodologjive të sakta shkencore.

Fusha e studimeve orientale është aq e gjerë, si për nga pjesëmarrësit që u aktivizuan në të, ashtu edhe për nga krijimtaria e tyre. Prandaj autori i këtij libri, të cilin kemi nderin ta sjellim në gjuhën shqipe, me një përvojë jo të vogël në këtë fushë studimesh, është munduar që në këtë studim të shkurtër shkencor, të paraqesë jo vetëm historinë e kësaj lëvizjeje, por edhe metodologjinë që orientalistët kanë përdorur në studimet e tyre për Orientin në përgjithësi, dhe për trashëgiminë kulturore të qytetërimit islam në veçanti. Autori thellohet shumë në analizën e kësaj lëvizjeje, për të nxjerrë në pah motivet që i nxitën orientalistët të hedhin vështrimin e tyre drejt Orientit, për t’u njohur me mekanizmat që përdorën dhe për t’i klasifikuar ata në grupe, që u dha emrin “Shkollat e orientalizmit”.

Megjithëse shkrimet dhe studimet në këtë drejtim në gjuhën arabe janë të shumta, në gjuhën shqipe, botime të tilla janë të pakta, ose më saktë mungojnë plotësisht, pa përfshirë këtu përkthimet e disa librave të orientalistëve si Bernard Lewis e të tjerë si ai, sepse libra të tillë janë krijime të orientalistëve dhe jo studime që trajtojnë orientalizmin. Kështu që lexuesi shqiptar do të ketë rastin të njihet më nga afër me orientalizmin, pse jo dhe me personalitetet më të njohura të kësaj fushe, të cilët i gjen të përmendur thuajse në çdo faqe të këtij libri. Kjo e bën këtë libër edhe më të veçantë, sepse ai nuk është vetëm një studim i mirëfilltë, por edhe një biografi e orientalistëve më të njohur të historisë së orientalizmit.

Gjatë përkthimit, duke pasur parasysh formimin e ndryshëm kulturor që ka lexuesi shqiptar, dhe për t’i ardhur atij në ndihmë, jam përpjekur që disa personalitete dhe terma, t’i shpjegoj me shënime plotësuese, që nuk janë në tekstin origjinal. Për t’i dalluar ato, në fund të çdo shënimi do të gjeni (sh.p.), që tregon se shënimi është i përkthyesit.

Në fund, mund të themi se Shqipëria, për fatin e saj të mirë apo të keq, nuk ka përjetuar ndonjë lëvizje të mirëfilltë orientaliste, sikurse ndodhi në vendet e tjera perëndimore apo si në disa vende të rajonit (p.sh. në ish-Jugosllavi). Kjo mund të ketë ardhur si rezultat i shumë faktorëve, si trashëgimia kulturore e popullit shqiptar, historia e tij shoqërore, politike, ekonomike, por edhe vendndodhja e tij gjeografike.

Ata studiues të paktë që janë marrë me disa studime të kësaj fushe, në përgjithësi kanë kryer studime gjuhësore, që përqendrohen rreth disa dukurive dhe ndikimeve orientale në kulturën dhe trashëgiminë e popullit shqiptar*, por ka dhe nga ata studiues shqiptarë, sidomos të kohëve të fundit që, duke mos i përmendur burimet e ideve të tyre, më shumë reklamojnë idetë e vjetra të orientalizmit perëndimor sesa sjellin diçka të re në këtë fushë studimesh. Do të ishte më e ndershme dhe më modeste që ata të sillnin thjesht mendimet e tyre, qofshin edhe mendime të dobëta apo ide të gabuara, sesa të flisnin me gojën e tyre e të mendonin me mendjen e të tjerëve.

Sido që të jetë e vërteta rreth atyre studimeve që mund t’i quajmë “orientalizëm shqiptar”, shpresojmë që vetë lexuesi, duke u njohur më mirë me kuptimin, historinë, metodikën, motivet, synimet dhe objektivat e kësaj lëvizjeje, do të jetë në gjendje të krijojë një mendim më të qartë dhe më të saktë rreth saj.

Roland VISHKURTI
Qershor 2012



* Këtu vlen të përmendim Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe, të autorit Tahir Dizdari (1900-1972), vepër e cila pasqyron ndikimin e Islamit, të gjuhës arabe në veçanti, dhe të gjuhëve orientale në përgjithësi, në kulturën e popullit shqiptar. Kjo vepër është botuar e plotë në vitin 2005 nën përkujdesjen e Institutit Shqiptar të Mendimit dhe Qytetërimit Islam (AIITC), në Tiranë dhe me bashkëpunimin e familjes Dizdari.

No comments:

Post a Comment

Komentoni për këtë libër

LinkWithin

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...