Mirëseerdhët në Blogun e Qendrës Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania Botime)

Sunday, March 4, 2012

Historia e shkencës islame

HISTORIA E SHKENCËS ISLAME

Historia e Shkencës Islame
Libri “Historia e Shkencës Islame”, është një ndër librat më të veçantë në lidhje me shkencën dhe qytetërimin islam, i cili i prezantohet lexuesit shqiptar. Autori i librit, orientalisti dhe historiani anglez Xhorxh Sarton, ka bërë një pasqyrim shumë të bukur të historisë së shkencës islame, duke treguar për kontributin e muslimanëve në shkencë, shpikjet shkencore të muslimanëve, ndikimin që pati shkenca islame në Lindje (me qendër në Bagdad) dhe në Perëndim (me qendër në Kordovë të Spanjës së sotme). Andaluzia e atëhershme i kishte dhënë një hapësirë shumë të madhe shkencëtarëve muslimanë duke themeluar në të njëjtën kohë institucione të mëdha për zbulime shkencore. Një paraqitje të bukur, autori në këtë libër i bën gjendjes në të cilën ndodheshin në atë kohë të krishterët europianë (Mesjeta e errët europiane) dhe bën një krahasim më qytetërimin që muslimanët kishin arritur të krijonin në Europë.
Shpresojmë që ky libër të tërheqë vëmendjen dhe të lexuesve shqiptarë të etur për shkencën në përgjithësi edhe për shpikjet (shkencën) islame në veçanti.

Temat e librit janë si më poshtë:

Historia e Shkencës Islame - 1
(Koha e Xhabir Ibn Haijan)
“Gjysma e dytë e shekullit të tetë”

Historia e Shkencës Islame - 2
(Koha e Al-Harizmit)
“Gjysma e parë e shekullit të nëntë”

Historia e Shkencës Islame - 3
(Koha e Al-Razit)
“Gjysma e dytë e shekullit të nëntë”

Historia e Shkencës Islame - 4
(Koha e Al-Mas’udit)
“Gjysma e parë e shekullit të dhjetë”

Historia e Shkencës Islame - 5
(Koha e Abu-l-Vafa)
“Gjysma e dytë e shekullit të dhjetë”

Historia e Shkencës Islame - 6
(Koha e Al-Birunit)
“Gjysma e parë e shekullit të njëmbëdhjetë”

Historia e Shkencës Islame - 7
(Koha e Umer Khajjamit)
“Gjysma e dytë e shekullit të njëmbëdhjetë”

SHTOJCË

1. Dr. Monzur Ahmed - Ibn Sina - Mjeku i mjekëve
2. Xhemshid Ahtar - Kontributi shkencor i muslimanëve gjatë shekujve
3. Maksud Aftab - Ndikimi i Islamit në shkencë
4. Dr. A. Zahoor - Përkthyes të njohurive shkencore në Mesjetë
5. Paul Lunde - Shkenca në Andaluzi (Spanjë)
6. Paul Lunde & Zejn Bilkadi - Muslimanët dhe astronomia
7. Arti dhe arkitektura islame, marrë nga Enciklopedia Encarta, 2000
8. Ermal Bega - Prania e temave shkencore në shtypin islam

Të dhëna mbi librin:

Titulli: Historia e Shkencës Islame
Bazuar në librin “Hyrje në Historinë e Shkencës” nga Xhorxh Sarton (e pajisur me foto dhe portrete), realizuar dhe përgatitur nga Prof. Hamid A. Ead
Autor: Xhorxh SARTON
Përktheu, plotësoi me shtojcë dhe përgatiti për botim: Ermal BEGA
Kopertina: ACFOS - Besnik HAMITI
ISBN 978-99956-646-7-1
Boton: Qendra Shqiptare për Studime Orientale (ACFOS-Albania)
Viti i botimit: 2009
Faqe: 194
Formati: A5
Botimi i parë

Çmimi i shitjes në librari: 800 lekë/6 Euro

© Copyright i këtij botimi ACFOS-Albania, Tiranë 2009

Për porosi dhe shitje me shumicë & pakicë ju lutem na kontaktoni me e-mail.

PARATHËNIE

Xhorxh Sarton (George Sarton) duke i nderuar shkencëtarët muslimanë, në librin e tij “Hyrje në Historinë e Shkencës”, thotë: “Do të mjaftohem këtu duke përmendur një sërë emrash të lavdishëm, pa bashkëkohës ekuivalentë në Perëndim: Xhabir ibn Haijan, al-Kindi, al-Harizmi, al-Fargani, al-Riza, Thabit ibn Kurra, al-Batani, Hunain ibn Ishak, al-Farabi, Ibrahim ibn Sinan, al-Masudi, al-Tabari, Abu al-Vafa, Ali ibn Abbas, Abu al-Kasim, Ibn al-Xhazzar, al-Biruni, Ibn Sina, Ibn Jusuf, al-Kashi, Ibn al-Haitham, Ali ibn Isa al-Gazali, al-Zarkab, Umer Hajjami (Omar Khajjami), etj.
Nëse dikush ju thotë juve se Mesjeta ka qenë e varfër nga ana shkencore, përmendini atyre vetëm këta njerëz, dhe të gjitha lulëzimet (përparimet) e tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore, 750-1100 e.s. (erës sonë)”.
Më 8 Qershor të vitit 632 e.s., vdiq profeti Muhammed (paqja dhe mëshira qoftë mbi të), duke kryer (përmbushur) detyrën e jashtëzakonshme të bashkimit të fiseve të Arabisë në një komb të fuqishëm e homogjen.
Ndërkohë, Persia, Azia e Vogël, Siria, Palestina, Egjipti, e tërë Afrika Veriore, Gjibraltari, dhe Spanja i ishin nënshtruar shtetit islam, dhe një qytetërim i ri ishte themeluar.
Arabët së shpejti asimiluan kulturën dhe njohuritë e njerëzve ku sundonin, ndërsa në ndryshimin e dytë - Persianët, Sirianët, Koptët, Berberët dhe të tjerët përvetësuan gjuhën arabe. Në këtë mënyrë kombësia e muslimanëve u përmbys, dhe termi arab mori më tepër një kuptim gjuhësor, sesa një kuptim të saktë etnologjik.
Menjëherë pas ngritjes së shtetit islam, arabët filluan të nxisin të mësuarit e të gjithë fëmijëve.
Shkollat, kolegjet, librotekat (bibliotekat), observatorët dhe spitalet ishin ndërtuar kudo në të gjithë shtetin islam. Ato kishin personel të përshtatshëm dhe ishin të pajisura.
Në të njëjtën kohë, dijetarët ishin të kërkuar në Damask e Bagdad, pa dallim kombësie apo besimi.
Dorëshkrimet greke ishin marrë në tërësi dhe ishin studiuar, ishin përkthyer dhe ishin pajisur me qëndrime të dijetarëve dhe me komentime sqaruese.
Të nxënit e mëparshëm, në këtë mënyrë, ishte mbushur me një forcë të re mendore, dhe liria intelektuale e njeriut të shkretëtirës nxiti kërkimin e diturisë dhe të shkencës.
Në ditët e para, më së pakti, muslimanët ishin kërkues të etur për dituri, dhe Bagdadi ishte qendra intelektuale e botës.
Historianët kanë konstatuar me të drejtë se shkolla e Bagdadit ishte karakterizuar nga një frymë e re shkencore.
Veprimi nga e ditura tek e paditura; nxjerrja e llogaritjeve të sakta të dukurive; mospranimi i asgjëje si të vërtetë e cila nuk ishte vërtetuar nga përvoja, ose e provuar me eksperimente, ishte e njëjtë me parimet themelore të mësuara dhe të miratuara nga mësuesit (mjeshtërit) e shkencave.

Xhoxh Sarton, në parathënien e tij, e ndan periudhën që nga gjysma e dytë e shekullit të tetë deri në gjysmën e dytë të shekullit të njëmbëdhjetë në:
. Koha e Xhabir ibn Haijan e cila përfshin gjysmën e dytë të shekullit të tetë
. Koha e al-Harizmit e cila përfshin gjysmën e parë të shekullit të nëntë
. Koha e al-Razit e cila përfshin gjysmën e dytë të shekullit të nëntë
. Koha e al-Masudit e cila përfshin gjysmën e parë të shekullit të dhjetë
. Koha e Abu al-Vafas e cila përfshin gjysmën e dytë të shekullit të dhjetë
. Koha e al-Birunit e cila përfshin gjysmën e parë të shekullit të njëmbëdhjetë
. Koha e Umer Khajjamit e cila përfshin gjysmën e dytë të shekullit të njëmbëdhjetë

No comments:

Post a Comment

Komentoni për këtë libër

LinkWithin

Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...