Ali Mustafa EL MISRATI
DERVISHI I THA
DJALIT TË TIJ
(letërsi arabe)
Dervishi i tha djalit të tij |
Libri “Dervishi
i tha djalit të tij”, me një kuptim kaq kuptimplotë, përmban disa këshilla të
babait (dervishit, jo në kuptimin që përdoret rëndom dhe jo në mënyrë të
drejtë), kundrejt djalit të tij, i cili nga kurreshtja e madhe për të mësuar
për çështje të ndryshme të jetës si dhe për karaktere e personalitete të
ndryshme njerëzish, i bën shumë pyetje babait të vet, duke kërkuar përgjigje. Fëmija,
me një kureshtje të madhe, dëgjon me kërshëri dhe dëshirë të madhe përgjigjet
që babai (dervishi), me një qetësi dhe durim të madh prindëror, ia jep djalit
të tij.
Me
libra të tillë me karakter këshillues, familjar etj., letërsia arabe është e
mbushur plot, dhe ky libër në shqip është vetëm një pikë e atij oqeani të madh,
por vlerën më të madhe përkthimit në shqip këtij libri me këshilla e aforizma
të tilla, ia shton ajo se autori i tij është një shqiptar (arnaut) nga Libia.
Besojmë
që ky libër do të jetë një shoqërues i mirë dhe i dobishëm për çdo lexues në
përgjithësi, dhe për çdo prind në veçanti, duke mësuar një raport të veçantë në
marrëdhëniet prind-fëmijë.
Të dhëna mbi librin:
Titulli:
Dervishi i tha djalit të tij
Përktheu nga
gjuha arabe: Roland VISHKURTI
Redaktore
gjuhësore: Klodiana SMAJLAJ
Korrektor
letrar: Ermal BEGA
Kopertina:
ACFOS - Besnik HAMITI
ISBN 978-9928-4028-3-7
Boton: Qendra Shqiptare për Studime
Orientale (ACFOS - Albania)
P.O.Box 8203
E-mail: acfos_albania@yahoo.com
Viti i botimit: 2011
Faqe: 60
Formati: A5
Çmimi i
shitjes në librari: 300 lekë/2.5 Euro
© Copyright
i këtij botimi ACFOS-Albania, Tiranë 2011
Për
porosi dhe shitje me shumicë & pakicë ju lutem na kontaktoni me e-mail.
Parathënia
Dy fjalë për
lexuesin
Libri
që kemi në dorë është një nga librat që, siç thotë edhe vetë autori, ka më
shumë për zemër nga të gjithë të tjerët. Kjo jo për shkak të përmasave të tij,
por sepse në të, autori na paraqitet si filozof, duke na kujtuar se filozofia
përfshin thuajse të gjitha fushat e jetës dhe të qytetërimit njerëzor.
Përzgjedhja
e këtij libri për ta sjellë në shqip nuk është bërë vetëm për arsyet që
përmendëm më lart, por edhe për një fakt tjetër që është po aq i rëndësishëm sa
dhe vlera e vetë librit, sidomos për kombin shqiptar të cilit vlerat njerëzore
dhe kulturore nuk ia ngrejnë lart vetëm shqiptarët brenda kufijve natyrorë ku
jetojnë e kanë jetuar për mijëra vite, por janë edhe ata shqiptarë të cilët kanë
emigruar në Lindje e Perëndim gjatë periudhave të ndryshme historike. E,
megjithëse kanë kaluar vite, dekada e shekuj, janë pasardhësit e këtyre
emigrantëve të hershëm, që edhe pse disa prej tyre për arsye të ndryshme nuk
kanë mundur të ruajnë lidhjet me tokën e paraardhësve, ata nuk e kanë harruar
origjinën e tyre. Një ndër këta personalitete është edhe autori i librit që
kemi në dorë, prof. Ali El Misrati, një nga shkrimtarët dhe akademikët
bashkëkohorë të kulturës arabe dhe libiane.
Herën e
fundit që u takova me autorin, dhe kjo gjatë pushimit prej gati një çerek ore
në një seminar që u mbajt në Tripoli*, mu dha rasti
të bisedoja me të dhe t’i jepja atij një biografi të shkurtër rreth jetës së
tij në gjuhën shqipe që e kisha përgatitur prej disa muajsh, dhe ai menjëherë
me lëvizjet e tij të shpejta dhe të gjalla filloi të fliste dhe të më pyeste
për shqiptarët. Natyrisht që u çudit kur unë i dhashë atë biografi të shkurtër
që nuk i kalonte tetë faqe, megjithëse rreth nesh kishte dhe profesorë e
studentë të tjerë pjesëmarrës në seminar. Kur i mori në dorë ato fleta më tha:
"A e ke përmendur që origjina e gjyshërve të mi është nga Shqipëria?",
unë iu përgjigja se megjithëse e di një gjë të tillë sepse më keni njoftuar në
takime të kaluara, këtë aspekt nuk e kam gjetur të shkruar në asnjë burim që
flet për jetën dhe veprën tuaj, dhe për këtë arsye nuk e kam shkruar këtë që ju
përmendni. Atëherë duke buzëqeshur më tha: "Menjëherë shkruaje këtë që
po dëgjon nga unë në biografinë time", dhe me zë të lartë që ta
dëgjonin dhe disa të pranishëm që ishin aty pranë thirri: "E dini ju që
gjyshërit e mi kanë qenë shqiptarë?" Edhe pse autori nuk e dinte
saktësisht se nga cila krahinë e Shqipërisë vinte stërgjyshi i tij shqiptar,
nga historitë që ai mbante mend dhe tregonte arrita të kuptoj që prejardhja e
familjes së tij mund të ishte nga Çamëria, dhe autorit i vinte mjaft keq që ato
pak shkrime dhe fotografi që tregonin prejardhjen e tij, i ishin djegur gjatë
pushtimit të Libisë, në kohën kur dhe familja e tij emigroi për në Egjipt. Edhe
pse nuk munda të gjej saktësisht origjinën e të parëve të këtij gjeniu të
letrave arabe, ishin ato pak fjalë që më shtynë ta rishkruaj biografinë e tij,
për shkakun e vetëm që të përmend atë që ai më kërkoi, se origjina e familjes
së tij rrjedh nga Shqipëria, dhe se gjyshërit e tij të parë kanë qenë shqiptarë
që emigruan në viset arabe, dhe kjo është një dukuri tashmë e njohur në
historinë arabe ashtu dhe në atë shqiptare. Familje me origjinë shqiptare
gjejmë jo vetëm në Libi, por thuajse në të gjithë vendet arabe si në Egjipt,
Siri, Jordani, Liban, Palestinë, Tunizi, Sudan etj.
Kur ai
flet për shqiptarët natyrisht që i njeh mjaft mirë personalitet shqiptare, dhe
karakteristikat e popullit shqiptar, dhe me buzëqeshje ai thotë: unë nga babai
jam me origjinë shqiptare, nga nëna me origjinë çerkeze, kështu që nuk është
faji im që te unë janë bashkuar shkathtësia, zgjuarsia dhe kokëfortësia.
"Janë
një popull i vjetër që kanë dhënë shumë, ka nxjerrë dijetarë e personalitete jo
vetëm në lindje por dhe në perëndim, por në të njëjtën kohë është një popull që
i është bërë shumë padrejtësi. Turqia shumë herë tregoi neglizhencë ndaj tyre,
ndërsa arabët i harruan krejtësisht".
Ai nuk
harron të përmendë dijetarë me origjinë shqiptare që kanë bërë famë në botën
arabe, të cilët i ka takuar gjatë udhëtimeve të tij të shumta. Ai thotë që
shumë prej tyre i njeh personalisht dhe i ka shokë e mban kontakte me ta. Ai
përmend Sami Frashërin dhe Kamusin e Personaliteteve, libër të cilin ai ka
shumë dëshirë ta përkthejë në gjuhën arabe. Për Sami Frashërin, i cili ka qenë
edhe kryeredaktor i gazetës "Tarablus El Garb", gazeta e parë
libiane, ai thotë: "Ai ka qenë me të vërtetë një dijetar i madh, ka
qenë enciklopedi për kohën e tij, por për fat të keq ka autorë arabë që janë
bazuar në veprën e tij Kamus el A'lam, por që nuk e përmendin një gjë të tillë".
Ai
padyshim nuk mund të harrojë "burrin madhështor" siç e quan ai
Muhamed Ali Pashën të cilin e përmend me një simpati të madhe, si dhe mjaft
personalitete shqiptare për të cilët ai shpreson t'iu përkushtojë një ligjëratë
për të treguar rolin e tyre në shërbim të përhapjes së kulturës islame në botë,
dhe në të njëjtën kohë ai shpreh dëshirën e tij të madhe që një ditë t’i
realizohet dëshira për të vizituar "Tokën Shqiptare" siç e quan ai me
gjuhën e tij.
Dhe për
t’ju rikthyer librit, nuk është çudi të shohim prof. Misratin t’i shkruajë këto
rreshta me një gjuhë të thjeshtë, por edhe të ndërlikuar e kuptimplotë në të
njëjtën kohë. Ai është përpjekur t’i paraqesë mendimet dhe përvojat e tij në formën
e një dialogu ndërmjet babait, që është Dervishi, dhe të birit.
Përzgjedhja
e titullit jo pa qëllim është bërë e tillë. Ndoshta, autori ka dëshirë që të
kthejë në origjinë kuptimin e fjalës “dervish”, pasi në gjuhën e përditshme,
ajo mund ta ketë humbur atë.
Në
përdorimin e përditshëm popullor kjo fjalë përdoret për atë person i cili
gjërat i kupton disi me vonesë, që në të njëjtën kohë merr dy kuptime; që i
thuhet një njeriu që ia do të mirën por që nga pafajësia e tij nuk i kupton dhe
aq shpejt gjërat, e si me përkëdhelje i thua "dervish", por në të
njëjtën kohë përdoret për atë njeri që në shqip mund të quhet person i trashë e
që nuk i kap gjërat si duhet.
Me
gjithë këtë shumëngjyrim kuptimesh në përdorimin popullor të fjalës nëse ne iu
referohemi fjalorëve gjuhësorë, do të shohim se fjala “dervish” rrjedh nga
persishtja dhe ka më shumë se një kuptim. Në gjuhën e përditshme ajo do të
thotë lypës, ndërsa në sofizëm, kjo fjalë tregon njeriun mistik, që bën jetë të
thjeshtë e që i kushtohet meditimit. Disa i quajnë “rrotullues”, sepse ata
rrotullohen gjatë adhurimit tradicional mistik, duke rrahur daullet.
Gjithashtu, ka shumë njerëz që besojnë tek shenjtëria e dervishëve, sepse disa
prej tyre pretendojnë se njohin të ardhmen dhe fatin e të tjerëve. Ndonëse të
gjitha rrymat mistike pretendojnë se burimin e kanë nga feja islame, duhet të
sqarojmë se këto pretendime nuk përputhen aspak me bazat e Islamit.
Në këtë
libër, fjala “dervish” duke iu shmangur çdo kuptimi që kjo fjalë mund të ketë
mbajtur ose mban ende mbi shpinë, nuk tregon veçse njeriun që jeton thjesht e
në meditime dhe që ka vetëm një qëllim, të arrijë vlerat më të larta njerëzore,
dhe për këtë arsye këtë dialog mund ta quajmë edhe si një përpjekje të autorit
për të treguar rrugën drejt njeriut të përsosur.
Duke
mos u zgjatur më tepër, shpresoj se gjatë leximit të këtij dialogu të shkurtër,
do të mund të gjeni copëza të ngjashme me jetën dhe përvojën e çdonjërit prej
nesh.
Roland
VISHKURTI
Malmo-Suedi
Qershor 2011
* Seminari shkencor me titull "Tripoli dhe roli i
tij në përhapjen e kulturës arabe-islame" mbajtur në Tripoli-Libi më 6-7
Shkurt 2008, ku ai u nderua me medaljen e artë nga Organizata Islame për
Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (ISESCO).
No comments:
Post a Comment
Komentoni për këtë libër